Libri “Në kërkim të kuptimit në jetë”, i shkruar nga Viktor Frankëlli, është një nga veprat më madhështore të epokës sonë. Në përgjithësi, nëse një libër ka një fragment, një ide që mbart fuqinë për të transformuar jetën e njeriut, kjo është një arsye e mirë për ta lexuar, për ta rilexuar dhe për ta vënë në reshtin e parë të raftit. Ky libër ka shumë fragmente të tilla.
Para së gjithash, ky është një libër për mbijetesën. Si shumë hebrenj nga Gjermania dhe Evropa Lindore, të cilët mendonin se ishin të parrezikuar në vitet 1930, Frankëlli përfundoi në rrjetin nazist të kampeve të përqendrimit dhe shfarosjes. Ai shpëtoi për mrekulli. Mbijetoi ashtu siç thuhet në Bibël: “një urë zjarri e shkëputur nga zjarri”. Por rrëfimi i tij në këtë libër ka të bëjë më shumë me burimet e forcës për të mbijetuar sesa me mundimet, vuajtjet dhe humbjet që përjetoi. Disa herë në këtë libër, Frankëlli konfirmon shpesh thënien e Niçes: “Ai që ka një Arsye për të jetuar, mund të përballojë çdo mënyrë jetese”. Ai përshkruan me tone prekëse ata të burgosur që hoqën dorë nga jeta, që kishin humbur gjithë shpresën për të ardhmen dhe vdiqën pashmangshmërisht të parët. Ata vdiqën më shumë për shkak të mungesës së shpresës, mungesës së një kauze për të jetuar, sesa për shkak të mungesës së ushqimit apo ilaçeve. Në të kundërt, Frankëlli arriti të mbijetonte dhe i mbajti shpresat gjallë, teksa evokonte bashkëshorten dhe dëshirën për ta takuar sërish, si dhe teksa ëndërronte duke mbajtur pas luftës ligjërata mbi mësimet psikologjike që duheshin përvetësuar nga eksperienca në Aushvic. Është e qartë se shumë të burgosur që dëshironin dëshpërimisht të jetonin, vdiqën – disa nga sëmundjet, të tjerë në krematorium. Por shqetësimi i Frankëllit ka të bëjë më shumë me arsyen se pse disa mbijetuan, sesa me arsyen se pse shumica vdiqën.
Pavarësisht se ishte shumë e tmerrshme, eksperienca e tij në Aushvic përforcoi një nga idetë themelore të tij: jeta nuk është kryesisht kërkim për kënaqësi, siç besonte Frojdi, as kërkim për pushtet, siç mësonte Alfred Alderi, por kërkim për kuptim. Për çdo njeri, detyra më e rëndësishme është gjetja e kuptimit në jetën e tij. Frankëlli parashtroi tre burime për kuptimin: në punë (duke bërë diçka domethënëse), në dashuri (duke u kujdesur për një person tjetër), dhe në guximin e treguar gjatë kohërave të vështira. Vuajtja në vetvete është e pakuptimtë; ne i japim vuajtjes kuptim nëpërmjet mënyrës se si reagojmë ndaj saj. Diku, Frankëlli shkruan se një njeri “mund të jetë i guximshëm, i denjë dhe vetëmohues ose, në luftën e ashpër për vetëmbrojtje, ai mund të harrojë dinjitetin njerëzor dhe të shndërrohet – as më shumë e as me pak – në një kafshë”. Ai pranon se vetëm një numër i vogël të burgosurish qenë në gjendje të bënin të parën, por, edhe vetëm një shembull i tillë përbën provë të mjaftueshme për të demonstruar se forca e brendshme mund ta ngrejë njeriun mbi fatin e tij të përcaktuar nga faktorët e jashtëm”.
Së fundmi, kjo është teza më e spikatur e Frankëllit, të cilës i jam referuar shpesh gjatë jetës, në situata të panumërta, kur kam ndjerë nevojë për këshillim: forcat përtej kontrollit tuaj mund t’ju privojnë nga gjithçka që posedoni, përveç një gjëje – lirisë për të zgjedhur se si do të reagoni në një situatë të caktuar; ju nuk mund të kontrolloni se çfarë ndodh në jetën tuaj, por mund të kontrolloni gjithmonë se çfarë ndjeni dhe bëni në raport me atë që ju ndodh.
Harold S. Kushner
(Pjesë nga parathënia)

Viktor Frankl

Viktor E. Frankl (26 Mars 1905 - 2 Shtator 1997), neurolog dhe psikiatër austriak, si dhe një i mbijetuar i Holokaustit, është themelues i logoterapisë, e cila konsiderohet “Shkolla e Tretë Vjeneze e Psikoterapisë”, pas psikanalizës së Frojdit dhe psikologjisë individuale të Adlerit. Në vend të pushtetit dhe kënaqësisë, logoterapia bazohet në besimin se përpjekja për të gjetur kuptim në jetë është forca motivuese kryesore e një individi.
Kopertina:

E butë

Nr. i faqeve:

192

Përkthyes:

Blendi Lami

Botues:

Minerva

Vlerësime

Ende pa shqyrtime.

Bëhuni i pari që shqyrton “Në kërkim të kuptimit”

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Në kërkim të kuptimit
L800

Në stok